Login Form





Lost Password?
No account yet? Register
Sida, 65 milione te prekur
Written by Seksualiteti   
Monday, 05 February 2007
Pavarësisht progresit të bërë kohët e fundit, në shumë vende të botës virusi vdekjeprurës HIV/AIDS vazhdon të përhapet. Shifrat më të fundit zyrtare të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) dhe Kombet e Bashkuara (UNAids) janë tepër alarmante. Raporti i fundit i Kombeve të Bashkuara i prezantuar në Londër, tregon se rreth 65 milionë njerëz janë infektuar me virusin HIV, ndërsa më shumë se 25 milionë kanë vdekur që nga viti 1981, kur u zbulua për herë të parë virusi vdekjeprurës. Vlerësohet se rreth 40 milionë njerëz mbarin virusin HIV aktualisht në botë.

Në vitin 2005, sipas statistikave të Kombeve të Bashkuara nga AIDS vdiqën 2.9 milionë njerëz, ndërkohë që 4.3 milionë e morën këtë virus. Rreth 17.3 milionë e të infektuarve më virusin e shekullit janë femra, çka përbën pothuaj gjysmën e totalit të të infektuarve me HIV/AIDS në mbarë botën. Pjesa më e madhe e të infektuarve, 13.2 milionë jetojnë në kontinentin afrikan, kryesisht në pjesën veriore të shkretëtirës së Saharasë. Ky rajon vazhdon të mbetet më i prekuri në botë nga virusi HIV.

Megjithatë, shifrat tregojnë se sëmundja e AIDS po përhapet me shpejtësi edhe në Europën Lindore dhe Azinë Qendrore, ku norma e infektimit është rritur me më shumë se 50 për qind në dy vitet e fundit. Në Europën Lindore dhe Azinë Qendrore rezultojnë afro 1.5 milionë njerëz që jetojnë me virusin AIDS, ku vetëm gjatë vitit 2005 janë raportuar 220 mijë raste të reja. Edhe në kontinentet e tjera, si Amerika Latine etj vihet re një rritje e ndjeshme e të të prekurve me virusin HIV/AIDS.

Por ndryshe nga vitet e tjera, ky vit ka shënuar ulje të numrit të të infektuarve me virusin vdekjeprurës në shtete si Kenia, Zimbabve, Haiti dhe në disa rajone të Indisë. Kjo ka ardhur falë masave të shumta të marra nga shumë organizata shëndetësore dhe sensibilizimit të popullatës së këtyre vendeve. Në rang global, një në pesë persona është i ekspozuar ndaj infektimit me këtë virus. Ndërsa çdo ditë afro 1 500 fëmijë zbulohet se janë mbartës të virusit, shumica e të cilëve janë të porsalindur.

Çfarë është HIV/AIDS ?

Virusi HIV- (Human Immuno-deficiency Virus), virusi i mungesës së imunitetit te njeriu është një virus që shkatërron sistemin imunitar. AIDS-(Acquired Immune Deficency Syndrome), indroma e mungesës së imunitetit të fituar – është gjendja që pason kur trupi është i infektuar me virusin HIV dhe nuk është në gjëndje të luftojë një numër infeksionesh dhe sëmundjesh ndaj të cilave ekspozohet. Virusi HIV nuk mund të depërtojë nëpërmjet lëkurës së padëmtuar dhe as nëpërmjet barrierës që ofron një prezervativ. Ai nuk mund të jetojë gjatë, jashtë trupit të njeriut. Virusi nuk mund të transmetohet nëpërmjet kontakteve të tilla si puthja, masturbimi, shtrëngimi i duarve, prekja e ndenjëses së banjës dhe përdorimi i lugëve, pirunëve dhe thikave të njëjta me personat e infektuar. Ai nuk mund të merret as nëpërmjet pickimit të insekteve.

Ka dy rrugë kryesore të transmetimit të këtij virusi nga një person në një tjetër. Një rrugë është kur sperma ose lëngu vaginal i një personi të infektuar hyn në trupin e një personi tjetër gjatë marrdhënieve seksuale depërtuese (vaginale ose anale). Rruga tjetër është ajo e kalimit të virusit nga gjaku në gjak, domethënë kur gjaku i një personi të infektuar depërton në trupin e një personi tjetër. Për këtë arsye përdoruesit e drogës, të cilët përdorin të njëjtat shiringa të infektuara për të injektuar drogën, janë në rrezik ashtu si edhe njerëzit të cilët bëjnë transfuzion gjaku me pajisje jo të sterilizuara siç duhet.

Gratë që janë të infektuara me këtë virus ia kalojnë atë fëmijëve të tyre të ardhshëm gjatë barrës, në lindje ose nëpërmjet qumështit të gjirit. Kur virusi HIV hyn në trupin e një personi, ai cilësohet si HIV pozitiv. Njeriu mund të jetë HIV pozitiv pa e ditur se është i tillë. Shenja dhe simptoma të mundshme të virusit HIV/AIDS-s janë: rreth 10 % humbje në peshë, ethe për më shumë se një muaj, lodhje, dhe djersitje natën. Njerëzit mund të jenë të infektuar, domethënë të jenë HIV pozitiv, për shumë vjet përpara se tek ata të zhvillohet sëmundja e AIDS-s. Virusi HIV nuk duhet paragjykuar, dhe nuk i përket grupeve të caktuara njerëzish. Ai është thjesht një sëmundje që transmetohet si rezultat i sjelljeve që bartin rreziqe. Virusi përbën një sëmundje që mund të na prekë të gjithëve, por nuk është i pashmangëshëm.
Last Updated ( Monday, 05 February 2007 )
 
    

Sondazhi
Kur keni bere dashuri per here te pare
 

Financuar nga UNFPA. Te gjtha te drejtat e rezervuara! Dizenjimi dhe Programimi: Qendra Rinore FORIS